Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka paralajmëruar se ekzistojnë shumë rreziqe për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Portos.
Bianconerët e fituan me rezultat 2-0 takimin e parë në Estadio Dragao dhe janë favoritë për të shkuar tutje, për më shumë ata nuk njohin humbje në Torino që nga gushti i vitit 2015.
Megjithatë, strategu italian thotë se asgjë nuk ka përfunduar, duke qenë se janë edhe 90 minuta lojë.
“Janë shumë rreziqe, sepse në radhë të parë është një ndeshje futbolli dhe gjithçka duhet të merret në konsideratë”.
“Për më shumë, Porto do të besojë se mund të bëjë një lojë të shkëlqyer, ndërsa këtë e dëshmuan në ‘play-off’ ndaj Romës”.
“Është një skuadër që di t’i zhvillojë ndeshjet e këtilla dhe ata e dinë mirë si t’i shfrytëzojnë rastet e tyre”.
“Prandaj, ne nuk duhet të mendojmë për fitoren prej 2-0, por ta marrim vetëm si një ndeshje dhe të regjistrojmë fitore në shtëpi”, ka thënë Allegri. /Telegrafi/