Telegrafi

Allegri lavdëron repartin defensivë të Juventusit dhe flet për transferimet e mundshme në janar

Juventusi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Bologna me rezultat 0-2.

Sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata dhe anësori kolumbian Juan Cuadrado u përkujdesën për dy golat e Zonjës së Vjetër në këtë takim.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri pas një kohe të gjatë ka lavdëruar ekipin e tij për punën e bërë në fushë.

“Të gjithë bashkëpunuam kur mbroheshim dhe kështu duhet të jetë gjithmonë. Në krahasim me ndeshjen kundër Venezia, kishim një qëndrim më të mirë nga fillimi ndeshjes”.

“Gjithsesi duhet të bëjmë më shumë përpara. Bologna ka cilësi dhe është e natyrshme që ata të kishin mundësi shënimi. U paraqitëm mirë, por nuk mund ta ulim përqendrimin tani, pasi ka shumë ndeshje direkte në janar përpara se të nisë sërish Liga e Kampionëve”, tha Allegri.

Tutje trajneri italian foli edhe për transferimet e mundshme në janar, duke hedhur poshtë mundësinë se do të blejnë.

“Juventusi ka një skuadër të shkëlqyer dhe ne do vazhdojmë me këtë grup deri në fund të sezonit. Këta lojtarë sigurisht që mund të përmirësojnë besimin, formën dhe dëshirën për të arritur objektivat”.

“Mund të përmirësohemi taktikisht, teknikisht dhe në aspektin e rezultateve”, përfundoi Allegri. /Telegrafi/