Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka thënë se skuadra e tij injoroi “shenjat paralajmëruese” nga ndeshjet e mëparshme dhe u dënua nga Lazio.
Bardhezinjtë nuk kishin humbur nga një skuadër në Serie A që nga gushti i vitit 2015, ndërsa ata ishin të pamposhtur në terrenin e tyre në 57 ndeshje konkurruese (duke fituar 50 dhe duke barazuar shtatë), por Lazio u shfaq e fortë duke fituar 2-1 falë dy golave të Ciro Immobiles.
Kjo humbje e ka nervozuar trajnerin Allegri, i cili sulmoi tërthorazi lojtarët e tij duke i akuzuar se nuk luajtën në nivelin e duhur dhe injoruan shenjat paralajmëruese nga barazimi i tyre ndaj Atalantas.
“Ne patëm shenja paralajmëruese kundër Torinos, Sassuolos dhe Atalantas. Ne kemi këto mangësi në përqendrim dhe paguajmë një çmim të rëndë për to”, ka thënë fillimisht Allegri për Mediaset Premium.
“Midis Bergamos dhe sot ne kemi humbur pesë pikë dhe nuk e kemi kuptuar se për të fituar Scudetton ju duhet të luftoni çdo ditë”.
“Është një goditje e madhe. Disa ishin pak të lodhur, të tjerë që mbanin dëmtime, por këto nuk janë justifikime, pasi kemi humbur pesë pikë”.
“Tani kemi një lojë të rëndësishme të mërkurën kundër Sportingut në Ligën e Kampionëve dhe ne duhet të fitojmë patjetër”.
“Ne luajtëm ndaj një skuadre shumë të organizuar të Lazios, që është e rrezikshme në kundërsulme. Isha i zhgënjyer që e humbnim topin shumë lehtë”.
“Ishim shumë të butë në ndërhyrje, përndryshe Lazio kurrë nuk hyri në gjysmën tonë në pjesën e parë”.
“Këto janë momentet që vendosin një ndeshje. Nëse lëshoni një pikë këtu dhe një pikë atje, në fund nuk do të fitoni Scudetton”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/