Telegrafi

Allegri: Kontrata, çështje kohe

Massimiliano Allegri e ka lëvduar fuqinë mendore të Juventusit pas fitores kundër Empolit, ndërsa ka thënë se vazhdimi i kontratës së tij do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Mario Mandzukic shënoi golin e vetëm në fitoren e Zonjës së Vjetër dhe pas ndeshjes, trajneri ka folur edhe për rinovimin e kontratës.

“Nuk është lehtë t’i fitosh të gjitha ndeshjet dhe bëhet akoma më vështirë kur po afrohet fundi i sezonit, sidomos për faktin që Empoli bën futbollin të mirë”, ka deklaruar Allegri për Mediaset Premium.

I pyetur rreth vazhdimit të kontratës së tij, ai ka lënë të kuptohet se tashmë kanë marrëveshje.

“Kur të kemi një pasdite të lirë, do të takohem me klubin dhe do të bisedoj. Sidoqoftë, kam edhe një vit tjetër në kontratën time, ata janë të kënaqur dhe po ashtu jam edhe unë”.

“Kur të takohemi do t’i nënshkruajmë dokumentet”, ka sqaruar trajneri. /Telegrafi/