Site icon Telegrafi

Allegri konfirmon rikthimin e Dybalas dhe Chiellinit: Ndaj Villarrealit duhet të fitojmë gjatë 90 minutave

Massimiliano Allegri ka konfirmuar se Giorgio Chiellini dhe Paulo Dybala do të jenë të disponueshëm kundër Villarrealit, nesër dhe beson se Alvaro Morata ka më shumë liri kur luan me Dusan Vlahovic në sulm.

Dybala dhe Chiellini qëndruan jashtë fushës për më shumë se një muaj për shkak të lëndimeve të muskujve, por do të kthehen në aksion nesër mbrëma kundër Villarrealit.

“Kthehen Chiellini, Dybala dhe Bernardeschi. Shpresoj se do të fitojmë në 90 minuta. Përndryshe, do të na duhet kohë shtesë. Zëvendësimet do të jenë të rëndësishme”.

“Bonucci është jashtë, ai luajti në Empoli dhe kundër Villarrealit edhe pse nuk ndihej mirë. Ai ka një problem me muskulin e këmbës dhe nuk e kapërcen dot. Alex Sandron nuk do të rrezikoj. Nuk është ndeshja e fundit e sezonit”, ka thënë Allegri në konferencë për shtyp, duke shtuar se Denis Zakaria është afër rikthimit.

Lexo po ashtu Juve do një mesfushor qendror për sezonin e ardhshëm

Juventusi barazoi 1-1 në Spanjë tre javë më parë, kështu që do t’i duhet një fitore në Torino për t’u kualifikuar në çerekfinale.

“Unë i kam idetë e qarta, shpresoj se do t’i arrij siç duhet. Skuadra po ndihet mirë. Është momenti vendimtar i sezonit”.

“Finalja e Ligës së Kampionëve? Duhet të kemi ambicie për të arritur në finale, është një objektiv që kemi ndaj duhet të provojmë. Nëse jemi të mirë dhe me fat, do t’ia dalim, nëse të tjerët janë më të mirë se ne, nuk do t’ia dalim. Nuk mund të pendohemi, nesër është si një finale që luajmë në shtëpi”.

“Vlahoviq do të luajë, Morata është në formë të mirë dhe gjithmonë ka pasur cilësi. Jam i lumtur me të, ai po luan mirë me Vlahovicin, ka më shumë liri në fushë. Të gjithë ndihemi mirë, do të na duhet edhe pak fat për t’u kualifikuar”, deklaroi Allegri për dyshen sulmuese.

Ndeshja mes Juventusit dhe Villarrealit zhvillohet të enjten nga ora 21:00./ Telegrafi/

Exit mobile version