Massimiliano Allegri ka konfirmuar se Juventusi i do të gjitha trofetë këtë sezon, mirëpo i ka paralajmëruar lojtarët e tij se nuk bën të humbin vëmendjen ashtu siç bën në ndeshjen kundër Manchester Unitedit.
Bianconerët luajnë kundër Valencias të martën në Ligën e Kampionëve, në kërkim të një vendi në 1/8 e finales në garën më të madhe evropiane për klube.
Trajneri ka dalë në konferencë për media së bashku me Joao Cancelo duke folur lidhur me ndeshjen që i pret.
“(Blaise) Matuidi dhe (Giorgio) Chiellini do të kthehen. Pas kësaj nuk do të jetë 4-3-3, por 4-3 dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë në sulm”.
“Nuk është lehtë ta lësh (Juan) Cuadradon ose Douglas Costan në bankën rezervë, ndërsa kjo është një shenjë e mirë për ne”.
“Pas disa ditësh do të na kthehen Emre (Can) dhe (Federico) Bernardeschi”, ka deklaruar Allegri.
“Janë shumë ndeshje, por të gjithë ne e kemi një objektiv të përbashkët, t’i shkojmë deri në fund dhe të fitojmë ndonjë trofe ose ndoshta të gjitha. Shpresojmë se do të jenë të gjitha”, ka shtuar trajneri. /Telegrafi/