Juventusi është ndalur në barazim 3-3 ndaj Parmas në javën e 22-të të Serie A.
Zonja e Vjetër kishte epërsi prej dy golave, por rezultati përfundimtar i dëshpëroi pasi Parma barazoi me Gervinhon që shkëlqeu në Allianz Stadium.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka thënë se futbollistët e tij gabuan në mbrojtje.
“Jemi treguar shumë të pafuqishëm në fazën defensive, kemi gabuar në mënyrë të pabesueshme tek goli i tretë i Parmas”.
“Kemi krijuar shumë gjatë terë takimi, ishte një ndeshje argëtuese por që në fund përfundoi me barazim”, tha Allegri.
“Kemi gabuar te të tre golat, gabimet që bëjnë të lësh pikë gjatë rrugës tonë. Kemi ende avantash me ndjekësit, por duhet të kemi më shumë përqendrim në fushë”, vazhdoi Allegri.
Krejt në fund trajneri italian u pyet edhe për përballjen me Atletico Madridin në Ligën e Kampionëve, por që nuk deshi të komentoj këtë takim.
“Atletico? Nuk dua të flas për atë takim, pasi ne jemi duke u përgatitur për Sassuolon”, u shpreh Allegri. /Telegrafi/