Telegrafi

Allegri flet për dorëheqjen e Agnellit dhe bordit të Juventusit

Massimiliano Allegri falënderoi John Elkann për mbështetjen e tij pasi Andrea Agnelli dhe bordi i drejtorëve të  Juventusit dhanë dorëheqjen e papritur.

Kryetari i Bianconerëve dhe bordi i drejtorëve të klubit dhanë dorëheqjet e tyre të hënën vonë, duke krijuar kaos në Torino gjatë pushimit të messezonit. FIGC më pas njoftoi sot se është hapur një hetim mbi pretendimet se Juventusi ka paguar fshehurazi pagat e lojtarëve gjatë fazave të hershme të pandemisë COVID-19 në 2020.

Duke folur në një deklaratë të shkurtër të marrë nga Football Italia, Allegri diskutoi situatën në Juventus dhe e bëri të qartë se fokusi i tij ishte vetëm në fushë.

“Është gjithmonë shumë pozitive të ndjesh afërsinë e aksionerëve dhe ndaj falënderoj John Elkann për këto fjalë”, deklaroi fillimisht ai.

“Në këto vite pune, pasioni dhe fitoresh, kam mundur të llogaris gjithmonë në mbështetjen e Andrea Agnellit, me të cilin më lidh një marrëdhënie miqësie, e cila nuk do të ndërpritet me përfundimin e presidencës së tij”.

“Andrea dhe John janë figura referuese për botën e Juventusit, e cila duhet të mbetet e fokusuar në punën e përditshme në fushë për të marrë rezultatet që të gjithë duam”, ka vazhduar ai.

Elkann konfirmoi në deklaratën e tij se Allegri do të ruante rolin e tij si trajner i Juventusit, megjithëse është e paqartë nëse kjo do të ndryshojë në fund të këtij sezoni.

Bianconerët tani janë në një pozitë tepër të vështirë dhe rrezikojnë një ndëshkim serioz nëse hetimi i FIGC konfirmon pagesën e fshehur të pagave të lojtarëve, duke rrezikuar çdo gjë nga një gjobë deri në rënie të mundshme në Serie B. /Telegrafi/