Massimiliano Allegri e ka cilësuar si të vështirë ndeshjen e nesërme ndaj Romës, por pret fitore nga skuadra e tij, Juventus.
Juventus dhe Roma do të ndeshen nesër(shtunë) me fillim nga ora 20:45 në derbin e javës të Serie A, por vendasit nga Torino duan që pikët e plota të mbesin në shtëpi.
“Na pret një ndeshje e vështirë, ku sigurisht nevojitet një punë e madhe nga të gjithë nëse duam të fitojmë. Në sulm do te jetë Higuain, por ende nuk e kam vendosur për shokun e tij të repartit, Mandzukic apo Dybala, pasi nuk mund të luajmë me të tre bashkë”, ka thënë fillimisht Allegri në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Vitet e fundit Roma ka qenë rivali ynë për titullin kampion. Është një skuadër e fortë, e organizuar mirë dhe lojtarë shumë cilësorë”.
“Ndryshe nga fillimi i kampionatit ata po tregohen më të kujdesshëm në mbrojtje. Është një sfidë që nuk vendos kampionatin. Personalisht nuk dua barazimin”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/