Juventusi nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e parë të 1/16 së finales në Ligën e Evropës.
Zonja e Vjetër u përball me skuadrën franceze Nantes dhe dështoi të marrë fitore, përkundër se zhvilloi një ndeshje të mirë dhe domnioi kundërshtarin.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri tha se nuk e mendonin fundin e duelit në këtë mënyrë, por tani do të shkojnë në Francë për të fituar.
“Na vjen keq sepse nuk e mendonim kështu fundin e kësaj sfide. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e kthimit, duhet të shkojmë në Francë për të luajtur për kualifikimin”.
Tutje Allegri ka kritikuar mediat duke thënë se nuk është e vërtetë që skuadra e tij dëshiron fitore vetëm me rezultat minimal, teksa ka folur edhe për repartin e sulmit si dhe episodit të VAR.
“Skuadra ime nuk do vetëm fitore 1-0, mjaft me këto gjëra tani, mos e teproni. Sulmuesit mund të bënin më mirë pranë zonës, rastet ishin, por tani duhet të përmirësohemi sepse nuk kemi kohë”.
“Episodi VAR në fund? Me Fiorentinën ishte diçka objektive, sonte është një vendim që duhet pranuar. Një arbitër thirret në VAR për të gjykuar një penallti dhe më pas gjen një faull. Është e kotë të flasësh tani”, tha Allegri. /Telegrafi/