Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se refuzimi i LDK-së për t’iu bashkuar protestave të Vetëvendosjes ka qenë i pritshëm.
“Brenda LDK-së ka ballafaqim për këtë çështje, prandaj kemi shpresuar se do të ketë përgjigje pozitive, sidomos për faktin se qëndrimet e tyre politike janë përputhur me qëndrimet tona kur bëhet fjalë për negociatat dhe zgjedhjet e reja”, tha ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Aliu tha se bojkotimi i seancave nga LDK rriti shpresat se ata do t’u bashkëngjiteshin protestave të Vetëvendosjes.
“Bojkotimi i seancave e krijoi edhe një mundësi që ne të besojmë që do të mund të kemi bashkëpunim edhe për protesta, meqenëse bojkotimi i seancave do të duhej të korrespondonte edhe me një protestë popullore”.
“Bojkotimi i seancave pa qytetarin aktiv jashtë institucioneve, për ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk ka shumë kuptim”, tha më tej Aliu, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se e kaluara e disa individëve nga LDK i lidh me pushtetin e sotëm.
“Ka struktura në LDK që e kaluara i lidh me pushtetin e sotshëm, dhe mbase që ata do të kenë ndikim në strukturat e LDK-së, dhe të na sjellin këtë përgjigje që na kanë sjellë”, tha Aliu.
“Vjosa Osmani ka deklaruar publikisht se është për protesta, dhe ka krijuar mundësinë që ne të ulemi e të flasim me LDK-në”, deklaroi Aliu. /Telegrafi/