Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka publikuar të shtunën në Facebook pamje nga punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë.
Ai ka thënë se ky aks rrugor është vënë në rrugën e duhur me intensifikimin e punimeve në të gjitha llotet.
“Po bëjmë çmos që këtë rrugë ta përfundojmë sa më parë, rrugë kjo e rëndësishme jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytetin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Aliu.
Ndryshe, punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë – Prishtinë, të cilat kanë nisur para se më shumë se shtatë vjetëve, nuk kanë përfunduar ende dhe sipas banorëve kjo zvarritje po iu shkakton vështirësi të mëdha.
Magjistralja Prishtinë – Podujevë ka filluar punimet në vitin 2016, ndërsa pretendimet ishin që kjo rrugë të kryhet brenda tri vjetëve.
Këto punime kanë rinisur tre muaj më parë, ndërsa vlera e projektit është 38 milionë euro. /Telegrafi/