Telegrafi

Aliu publikon foto tek Dheu i Bardhë, paralajmëron se vitin e ardhshëm do të vazhdojë ndërtimi i autostradës së Gjilanit

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka publikuar të premten një fotografi nga Dheu i Bardhë, duke thënë se nga viti i ardhshëm do të vazhdohet ndërtimi i autostradës së Gjilanit.

Aliu ka njoftuar se është takuar me Shaip Kamberin, bartësin e Listës së subjekteve të bashkuara shqiptare “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi”, për t’i shprehur mbështetje për zgjedhjet në Serbi.

Lexo po ashtu Aliu: Autostrada e Gjilanit po bëhet

Ministri më tej ka bërë thirrje që shqiptarët e Luginës ta votojnë këtë listë, që sipas tij paraqet rezistencën kryesore ndaj regjimit antishqiptar dhe jodemokratik në Serbi.

“Tek Dheu i Bardhë, kalimi kufitar që na lidhë me Luginën, e që vitin e ardhshëm po e vazhdojmë ndërtimin e autostradës së Gjilanit, nga Bresalci deri tek Dheu i Bardhë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

“Bashkë me Arditën, Hysin, Kadriun dhe Ragmiun u takuam me Shaip Kamberin, bartësin e Listës së subjekteve të bashkuara shqiptare ‘Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi’, për t’i shprehur mbështetjen tonë dhe për t’i bërë thirrje secilit shqiptar nga Lugina që të votojë këtë listë që paraqet rezistencën kryesore ndaj një regjimi antishqiptar, autoritar dhe jodemokratik siç është ky aktual në Serbi”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor.

Në listën e Shaip Kamberit bëjnë pjesë këto parti: Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën. /Telegrafi/