Vitin që lamë pas kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu po e konsideron si vit të sfidave dhe të sukseseve për komunën që e drejton. Sfidë për këtë komunë sipas tij vazhdon të jetë trashëgimi i borxheve, ndërkaq si suksese rëndit projektin e bashkimit të qytetit që pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe ndërtimin e spitalit të Ferizajt.
Aliu thotë se edhe gjatë vitit 2019 kanë vazhduar të përballen me problemin e gjendjes financiare, ku ai thotë se nga qeverisja e kaluar ka trashëguar mbi 40 milionë euro borxhe.
“Vit sfidash dhe vit suksesesh dhe kjo mund të thuhet edhe në këtë rast në vitin që po e lëmë pas, do të thotë viti 2019 ishte vit sfidash, po ishte edhe vit i sukseseve. Sfida në fakt është një sfidë e përsëritshme në kuptimin e asaj që kishte të bëjë edhe me vitin 2018, sepse ne kishim një trashëgimi buxhetore me një deficit jashtëzakonisht të madh dhe sigurisht që ishte tepër e sfidueshme menaxhimi financiar dhe përmbyllja e projekteve për arsye financiare. Sado që tek qytetari nuk do të tingëllonte bukur për faktin se tashmë po bëhen dy vite të qeverisjes sime dhe do të thoshin se çka është ka bëhet me këtë çështje, por sigurisht se ne e kemi gjetur këtë gjendje dhe vazhdon të jetë”, thotë Aliu në një intervistë për KosovaPress.
Dy nga projektet, që sipas Aliut janë tejet të rëndësishme, e që kanë filluar të realizohen gjatë vitit 2019 janë ndërtimi i pallatit të kulturës dhe ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Të dy këto projekte, Aliu thotë se janë të rëndësishme për qytetarët e komunës që e drejton.
“Janë dy nga projektet kryesore të cilat ne kemi gjetur mbështetje nga qeveria, më saktë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e që ka të bëjë me pallatin e kulturës, e që është një ndër objektet respektivisht projektet unike, tash për tash i vetmi në Republikën e Kosovës si i tillë. Si dhe, është projekti nga Ministria e Shëndetësisë që ka të bëjë me ndërtimin e qendrës kryesore të mjekësisë familjare. Të dyja këto projekte janë të mbështetura qind për qind nga buxheti i Republikës së Kosovës që është i paraparë në kuadër të këtyre ministrive”, thotë Aliu.
Viti 2020 pritet të jetë viti kur do të përfundojë projekti i bashkimit të qytetit, për çka kreu i Komunës së Ferizajt thotë se punimet janë duke shkuar me një dinamikë më të lartë sesa që është paraparë në kontratë.
“Një nga projektet po ashtu më unike dhe projekti më i veçantë e që tashmë po hyjmë në vitin e dytë, ku edhe gjatë këtij vitit të dytë do të përmbyllet dhe do të përfundojë dhe ky është projekti i bashkimit të qytetit. Tashmë ka marrë fizionominë, tashmë qytetarët janë duke e parë, sepse ka pasur ndonjëherë dilema tek qytetarët se çfarë do të jetë ky projekt, sepse sikur nuk janë mësuar qytetarët të shohin projekte të tilla dhe madje ka qenë kushtimit të them një diçka që ka përcjellë një lloj misticizmi sa i përket këtij projekti…Unë po besoj që po, sepse realisht kompania ka punuar me një dinamikë të jashtëzakonshme, madje dinamika e punimeve është më para se ajo që është pjesë e kontratës. Unë po besoj se gjithçka do të jetë e përfunduar në vitin 2020”, shprehet ai.
Këtë vit, kreu i Ferizajt thotë se pritet të përfundojë edhe Pallati i Panaireve dhe Sporteve.
Aliu ka folur edhe për ndërtimin e spitalit regjional të Ferizajt, për të cilin thotë se ka qenë shumë i domosdoshëm për qytetarët e kësaj komune. Sipas tij, bazuar në dinamikën e punimeve projekti në tërësi mund të përfundojë në vitin 2021.
“Spitali ka ecur me ritme të larta të ndërtimit dhe nëse edhe ministri i ardhshëm i Shëndetësisë do të më siguronte një mbështetje çfarë ka qenë deri tash, unë jam i bindur që më së voni deri në vitin 2021 me gjithë pajisjet, me gjithë infrastrukturën, thjeshtë për të shërbyer më në fund për pacientët e Ferizajt dhe të regjionit të Ferizajt spitali do të jetë gati. Por, tashmë jemi në pritje të qeverisë së re dhe dashtë Zoti të kemi një ministër me një energji të tillë dhe me një qasje të tillë i cili është i përkushtuar që shëndetësinë të vejë në binar”, thotë Aliu.
I pari i Ferizajt bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit kanë filluar ndërtimin e pesë shkollave në gjithë komunën, e kjo sipas tij do t’u mundësojnë nxënësve që të kenë kushte më të mira për mësim.
Gjatë vitit që e kemi lënë pas, Aliu thotë se kanë realizuar edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore, siç është ndërtimi i trotuareve, shtrimi i rrugëve me asfalt, ndriçimi i rrugëve dhe shumë projekte të tjera. /KP/Telegrafi/