Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu në një intervistë për Telegrafi.com ka thënë se, numri i atyre që kanë aplikuar për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale është mbi 200 mijë persona.
Aliu thotë se ka mbi 40 mijë deri 50 mijë aplikime që sipas tij nuk është dashur të bëhen.
“Pjesa e parë ka përfunduar më 15 maj ku një numër i madh kanë aplikuar për këtë, varësisht në cilën masë e kanë gjetur vetën dhe varësisht prej nevojave që i kanë pasur. Është një numër i madh i aplikuesëve, janë mbi 200 mijë persona që kanë aplikuar. Kategoria e tyre që nuk kanë mundur ta vazhdojnë punën për shkak të ndalesave që i kemi bërë është në rritje. Fatkeqësisht më duhet ta them se edhe në këtë kohë të pandemisë janë munduar ta keqpërdorin masën”, thotë Aliu.
Ai tregon se deri më tani janë ekzekutuar rreth 37 milionë euro pagesa nga masat e parapara në pako.
“Kemi pasur një ndikim në ekzekutimin e masës, sepse ekzekutimi ka filluar sipas planit e pastaj kemi një ngadalësim për shkak të verifikimeve ku ne supozojmë se ka mbi 40 mijë deri 50 mijë aplikime që nuk është dashur të bëhen fare. Komisioni në Administratë Tatimore i përbërë nga profesionistëve është duke e bërë një punë të madhe, po procedojnë një numër të madh aplikacioneve, pasi të analizohen dërgohen në Thesar dhe pastaj ekzekutohen. Deri më tani në shumë të masave janë ekzekutuar rreth 37 milionë euro pagesa”, tregon ai.
Aliu shpjegon se masat e parapara në Pakon Emergjente kanë qenë të dedikuara për shtresat që kanë pasur nevojë për ndihmë financiare për tejkalimin e krizës së pandemisë.
“Masat kanë qenë të dedikuara për shtresat që kanë pasur nevojë për ndihmë financiare në këtë krizë të pandemisë. Kemi pasur prej atyre që u kemi thënë që nuk ka nevojë t’i largojnë punëtorët në kohë të pandemisë e pastaj kur të kthehen në punë, atëherë do të ketë masa tjera shtesë. Mirëpo, ka pasur prej atyre që pa e ditur mirë kanë aplikuar, nga ana tjetër ka të tillë që e kanë përdorë masën për t’i paguar punëtorët nga shteti edhe pse kanë punuar”, shpjegon Aliu.
Ai në emisionin “Përballje ditore” iu përgjigjet kritikave të atyre që thonë se kjo pako nuk është dizajnuar ashtu siç duhet. Sipas tij, kjo nuk qëndron, pasi është vlerësuar me notë maksimale prej institucioneve financiare.
“Thënia se Pakoja Emergjente nuk ka qenë e dizajnuar mirë nuk qëndron. Kjo pako e ka marr notën maksimale prej të gjitha institucioneve financiare, sidomos prej disa masave. Për sa i përket ekzekutimit, deri më tani janë ekzekutuar shumica prej tyre dhe kemi vazhdimësi. Mund të ketë ngecje për shkak të numrit të madh të aplikacioneve. Kjo masë nuk është për t’i zgjedhur problemet që kanë qenë të grumbulluara që 20 vite, ka qenë një pako e dizajnuar për emergjencën, e pastaj të merremi me rimëkëmbjen ekonomike”, thotë ai.
Aliu thotë se gjatë aplikimit për masat e pakos, janë formalizuar 14,200 vende pune.
“Është për të ardhur mirë që ka një kategori e madhe e njerëzve që kanë punuar në ekonominë informale dhe për herë të parë janë regjistruar në atë formale. Deri më tani për këtë kategori kanë aplikuar rreth 14,200 persona”, përfundoi Aliu.
Gjithashtu, ai në këtë intervistë ka folur edhe për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, e cila pritet të jetë rreth 1.1 miliard euro. /Telegrafi/