Telegrafi

Aliu me akuza të rënda ndaj Qeverisë Hoti, thotë se gjendja është katastrofale në vend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu gjatë seancës plenare ka thënë se katastrofa nuk mund të jetë  ndryshe, vetëm ashtu siç është qeverisja tani në Kosovë.

Ai ka thënë se spitalet nuk kanë oksigjen, dhe përmendi disa nga vendimet e marra nga Qeveria Hoti, të cilat sipas tij ishin pjesë e kësaj qeverisje jo të mirë.

“Nuk e di a mund ta paramendoj dikush diçka më keq, se kur në mes të pandemisë spitalet nuk kanë oksigjen. A jemi duke parë tani atë gjënë, që na paralajmëroi kryeministri Hoti disa muaj më parë duke thënë “Nuk keni parë gjë akoma”. Apo do të ketë ende diçka përtej imagjinatës sonë, se edhe këtë që pacientët të kenë mungesë oksigjeni nuk e kemi paramenduar. A është ky kulmi, ajo që thuhet që nuk ka ku shkon më keq. ”, u shpreh Aliu.

Aliu përmendi disa nga vendimet e marra qysh në fillim të marrjes së pushtetit nga Qeveria Hoti, përfshirë këtu edhe heqjen e reciprocitetit dhe siç tha ai “shmangien nga procesi i vetingut”.

“Kjo qeveri nisi me heqjen e reciprocitetit me Serbinë si vendim të parë, mënjanon procesin e vetingut në drejtësi e siguri, i heq të gjitha masat parandaluese ndaj pandemisë, e shpërbën punën e nisur të bordeve të ndërmarrjeve dhe trimëron keqbërësit brenda e rreth tyre”, tha Aliu.

“Për të vijuar me zotimet që pezulluan shtetësinë e qitën në Pazar Ujmanin”, tha Aliu

“Fyen dhe përbuzën këdo, deri edhe çështjen e të pagjeturve”, tha ndër të tjera Aliu.

Ai tha se për rokada dhe interesa klienteliste u hakmorën duke shkarkuar drejtorin e ATK-së, atë të Policisë e Trepçës. /Telegrafi/