Kryesia qendrore e BDI-së ende nuk ka diskutuar për shkeljen e Kodit zgjedhor me numrin e lartë të votuesve në njësinë e gjashtë zgjedhore. Kështu bëri të ditur deputeti Rafiz Aliti i cili personalisht nuk e sheh si zgjidhje kalimin e vendvotimeve të Dibrës në njësinë e pestë zgjedhore. Haliti kujton disbalancin e madh që krijohet me ndryshimin në numrin e votuesve mes njësive 3 dhe 4, të cilat kanë më pak votues, dhe njësisë gjashtë, e cila ka më shumë nga ajo që është e lejuar me ligj, njofton Alsat M.
“Mendoj se nuk është problem njësia zgjedhore numër gjashtë dhe numër pesë që të merren votues prej njësisë zgjedhore numër gjashtë dhe t’i jepen njësisë zgjedhore numër pesë. Mendoj se duhet të bëhet balancimi i të gjithë njësive zgjedhore në Republikën e Maqedonisë. Nëse nuk ndodh kjo, mendoj se atëherë subjektet politike duhet të kenë qasje korrekte ndaj votuesve dhe Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore dhe me atë kuptohet, pesha e votës e çdo qytetari të jetë e njëjtë. Nëse hymë në zgjedhje me këtë jo-balancë që është mes njësive zgjedhore, ne nuk do të kemi zgjedhje të drejta dhe të besueshme”, deklaroi Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.
Edhe PDSH-ja nga ana tjetër, nuk e sheh si zgjidhje kalimin e një numri të vogël të votuesve nga njësia e gjashtë në të pestën sepse sipas tyre, me këtë gjë do të mënjanohet vetëm shkelja ligjore por nuk zgjidhet problemi i vjetër i diskriminimit të votës së shqiptarëve. Një shqyrtim të problemit, ditë më parë premtoi edhe OBRM-PDUKM-ja por deri tani nuk ka iniciativë konkrete nga ana e tyre. Nga LSDM-ja janë të mendimit se iniciativa në Kuvend duhet të jetë e Ministrisë së Drejtësisë.
“Presim që Ministria e Drejtësisë si institucion kompetent të dorëzojë në Kuvend propozim-ligj i cili më vonë do të votohet në Kuvend”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Nga Ministria e drejtësisë, si institucion kompetent për të dorëzuar në Kuvend një propozim-ligj, sot nuk ju përgjigjën thirrjeve dhe as pyetjeve të dërguara në postën elektronike. /Telegrafi/