Telegrafi

Aliti i drejtohet tifozëve pas humbjes nga Greqia: Na munguat, por shihemi muajin tjetër për të bërë ëndrrën realitet

Kosova ka pësuar humbjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Dardanët janë mposhtur në Prishtinë me rezultat 1-2 nga Greqia, në një ndeshje ku pati shumë mungesa.

Plot 10 lojtarë i munguan trajnerit Bernard Challandes për këtë takim, ndërsa Kosova bëri një nga paraqitjet më të dobëta deri më tani.

Gjithsesi lojtarët e dëshpëruar e kanë kuptuar se kanë bërë një ndeshje të dobët dhe të gjithë kanë kërkuar falje.

Fidan Aliti

Edhe mbrojtësi Fidan Aliti i është drejtuar tifozëve në Instagram me një mesazh.

Aliti ka theksuar se përkrahja e dardanëve i ka munguar futbollistëve, por thotë se në tetor do të japin maksimumin për ta bërë ëndrrën realitet.

Postimi i plotë i Fidan Alitit:

Të dashur tifozë, e ndjejë obligim t’iu drejtohem të gjithëve pas ndeshjes me Greqinë. E di që kjo ndeshje nuk ishte siç̧ kemi pasur dëshirë si ne lojtarët ashtu edhe ju tifozë̈t. Përfundimisht, përkrahja juaj na mungoi në tribunat e stadiumit, që ishte bosh. Dihet që me ju, Dardanët ne jemi më të fortë. Ne jemi kombëtare e vogël dhe duhet të mësojmë prej këtyre ndeshjeve që na bëjnë më të fortë. Ne po rritemi së bashku dhe shihemi muajin tjetër për ta bërë ëndrrën realitet. Përgjithmonë DARDAN.

/Telegrafi/