Ish-kreu në deytrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i ka kthyer përgjigje ish-kryeministrit, Sali Berisha i cili deklaroi në konferencën e përjavshme me gazetarët, se është i gatshëm të diskutojë me këdo, “përveç dy personave.”
Teksa e cilëson “humbësi i zgjedhjeve të 14 majit,” Alibeaj thekson se e vetmja zgjidhje për të djathtët është që Berisha të largohet dhe t’u hapë rrugën alternativave të reja.
Më herët, Berisha, pa përmendur emra, foli për “dy persona me lidhje të tmerrshme krimi” me kreun e qeverisë, Edi Rama, por për Alibeajn, janë pikërisht figura si Sali Berisha që i “shërbejnë Ramës.”
“Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ja hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjjthë ata që mendojnë ndryshe nga ai”, tha Alibeaj në një postim në Facebook.
“I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur”, tha Alibeaj.
“Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë”, përfundon postimin Alibeaj. /Telegrafi/