Site icon Telegrafi

Alibeaj pas takimit me Donfried: SHBA-të mbështesin një PD pro-amerikane që sheh nga e ardhmja

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj tha sot pas takimit me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried se ka marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në një komunikim me gazetarët pas takimit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, Alibeaj u shpreh se me zyrtaren e lartë të DASH kishin diskutuar çështje të rëndësishme që shqetësojnë vendin, që nga çështje të shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe marrëdhëniet SHBA-PD.

Alibeaj u shpreh se SHBA-të mbështesin opozitën dhe një PD që sheh nga e ardhmja.

“S’mund të lija pa diskutuar marrëdhënien e posaçme të PD me SHBA që në lindje. Me kënaqësi vura re dhe pashë mbështetjen e madhe ndaj PD-së. Mora mbështetje e zonjës, të SHBA-ve dhe DASH për një opozitë të fortë të qëndrueshme dhe të integrimit evropian, një opozite pro-amerikane që sheh nga e ardhmja”, tha Alibeaj.

Teksa u pyet për faktin nëse kishin folur për ish-kryeministrin Sali Berisha, Alibeaj thas se “në takimet diplomatike flitet për ato çështje që janë të rëndësishme për shqiptarët. Demokracia, shteti i së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit i interesojnë të gjithë shqiptarëve”. /Telegrafi/

Exit mobile version