Site icon Telegrafi

Alibaba po e “pushton” botën, për 15 orë shet 6 miliardë dollarë

Kompania “Alibaba Group Holding” ka thënë se janë shitur më shumë se 6 miliardë dollarë mallra deri më tani gjatë fushatës së saj vjetore të shitjeve të quajtur “Dita e Beqarëve”, ditë kjo kur konsumatori gjen shumë produkte në zbritje.

Kompania bëri me dije se ky rekord është arritur brenda 15 orëve të para, ndërsa theksoi se vetëm gjatë kësaj kohe është thyer rekordi 24-orësh i vitit të kaluar.

Duhet theksuar se deri në mbyllje të kësaj dite kanë mbetur edhe nëntë orë tjera që parashihet se kjo shifër mund të rritet edhe për më shumë se 2 miliard dollarë tjera.

Më pak se tetë javë që kur kompania hapi aksionet e saja në New York, pritjet për këtë vit janë të mëdha, transmeton Koha.net.

Alibaba gjatë festivalit të vitit të kaluar arriti të shiste mallra në vlerë prej 5.75 miliardë dollarësh, ndërsa firma për hulumtime teknologjike IDC parashikon që kjo shifër të arrijë në 8.62 miliardë dollarë.

Kompania bëri me dije se gjatë vetëm 18 minutave të parë të hapjes së “Festivalit 11.11 të Shopingut” është prekur shifra e 1 miliard dollarëve.

Festivali 11.11 i Shopingut, për të cilin Alibaba thotë se është organizimi më i madh botëror i shitjeve online, ka nisur më 2009 kur vetëm 27 shitës të kompanisë Tmall.com ofruan zbritje të mëdha.

Festivali i sivjetmë është global, duke prekur më shumë se 200 vende, thotë kompania. /Telegrafi/

Exit mobile version