Telegrafi

Ali Gashi, mbi 50 vite në zanatin e këpucëtarit

Zanatet e vjetra janë gjithmonë e më pak të kërkuara, mirëpo ato ende nuk janë shuar.

Njërin ndër zanatet më të vjetra, atë të këpucëtarit, po e punon me shumë dashuri dhe përkushtim që mbi 50 vite në lokalin e tij të vogël, ku e gjen çdo pasdite.

Është ky  64-vjecari nga Prishtina, Ali Gashi, i cili tha se vullneti për punën e tij bën që të vazhdojë akoma.

“Me këtë zanat merrem që 50 vite. Atë zanat që e do, të shtynë gjithmonë të merresh me të”, thotë për RTV Dukagjinin, Ali Gashi.

Zanati i këpucëtarit, Aliu thotë se nuk është i vështirë dhe se e punon  tërë ditën.

Mirëpo, interesimi për këtë zanat është në shuarje, madje thotë që as fëmijët e tij nuk kanë shprehur dëshirë për ta mësuar.

“Për personat me nevoja të veçante kam punuar edhe para luftës një kohë. Pas luftës jam kthyer në QKUK në profesionin e këpucëtarit, por bëj këpucë për invalidë apo për persona që kanë nevoja specifike. Sigurisht është punë më e vështirë se e zakonshmja. Nevojitet një kohë më e gjatë për t’u mësuar. Unë jam mësuar nga kolegët që tashmë kanë dalë në pension. Para lufte në QKUK kemi qenë rreth 17 këpucëtarë tash jemi vetëm dy”, tha më tej Ali Gashi.

Aliu me këtë zanat, përveç në lokalin e tij që bën riparimin e këpucëve, atë e gjen edhe në Qkuk me të njëjtën punë. Mirëpo në këtë vend, punon këpucë për personat me nevoja të veçanta.

“Të rinjtë nuk e duan këtë zeje. Nuk e dëshirojnë as fëmijët e mi. Unë kam hyrë në këtë zanat qysh në moshën 12 vjeçare”, tha më tej Ali Gashi.

64 vjecari, Ali Gashi thotë se përkundër viteve ai po punon të dyja punët me shumë dëshirë dhe se do të vazhdoje akoma zanatin e tij./Telegrafi/