Telegrafi

Aleksander Ceferin pret që shumica e kampionateve të përfundojnë sezonin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin beson se shumica e kampionateve evropiane do të përfundojnë sezonet.

Bundesliga gjermane është kampionati i parë që është rikthyer që nga mesi i muajit mars, atëherë kur u ndërpre edicioni shkaku i coronavirusit.

Liga Premier, Serie A dhe La Liga pritet të ndjekin të njëjtën rrugë, pasi tashmë kanë filluar stërvitjet individuale me lojtarë dhe ato grupore fillojnë nga java e ardhshme.

Ceferin shpreson që me protokollet e reja nga qeveritë e vendeve të ndryshme, ligat do të përfundojnë këtë edicion.

“Ne kemi një plan konkret që të mbyllim këtë edicion”, ka thënë ai për beIN Sports. “Natyrisht se në verë ne duhet të luuajmë pa spektator”.

“Mendoj se ligat e mëdha do të përfundojnë sezonin. Ato që nuk e bëjnë, është vendim i tyre. Por, atyre do u duhet të përzgjedhin klubet që do të luajnë në garat evropiane në edicionin e ri”.

“Mund të them se sezoni në Evropë do të përfundojë, nëse çdo gjë shkon siç është tani situata”, ka shtuar më tej Ceferin.

Kujtojmë se Ligue 1 e Francës dhe Eredivisie e Holandës tashmë kanë përjashtuar sezonin dhe tani presin atë të riun. /Telegrafi/