Site icon Telegrafi

Aleksandar Jabllanoviq kaloi ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, ndalohet nga policia

Ish-ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, është ndaluar mbrëmjen e së martës duke e kaluar ilegalisht kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu bëjnë të ditura burimet e Telegrafit, ndër të cilat thonë se Jabllanoviq ishte në veturë me gruan dhe dy fëmijët.

Edhe në raportin 24 orësh Policia e Kosovës njoftoi se të martën mbrëma rreth orës 21:50 në rrugën për në Izvor është ndaluar një veturë, të cilën kishte qenë duke e drejtuar një person.

Po ashtu, u tha se brenda veturës ishte një grua dhe dy fëmijë.

“Zveçan  04.07.2023 – 21:50.  Njësiti policor derisa ka qenë në pikë statike në rrugën për në Izvore kanë ndaluar automjetin me targa të huaja të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pasagjerja femër kosovare si dhe dy fëmijë”, thuhet në raport.

Gjithashtu bëhet e ditur se i dyshuari me veturë përmes rrugëve alternative jashtë vendkalimit kufitar në mënyrë ilegale nga territori i Serbisë kishte hyrë në territorin e Kosovës.

Ndërkaq, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është hapur rasti, të ndaluarit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version