Telegrafi

Aleanca për Shqiptarët pyet Spasovskin dhe Nuhiun: Kush është inspektori që shet drogë?

 

Nëpërmjet një njoftimi të partisë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin për mungesën e informacionit nga ana e MPB-së lidhur me rastin e veturës së inspektorit me të cilën transportoheshin lëndë narkotike.

“Edhe pas më shumë se një javë organet kompetente nuk japin sqarime se cilat masa ligjore janë ndërmarrë nga ana e kontrollit të brendshëm pranë MPB-së lidhur me rastin e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e ASH-së, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ata pyesin se kush është inspektori vetura e të cilët është përdorur për transport dhe shitjen e lëndëve narkotike dhe cilat masa janë ndërmarrë ndaj tij si pjesëtar i MPB-së.

“Aleanca për Shqiptarët në vazhdimësi ka dënuar rastet e këtilla dhe ka kërkuar përgjegjësi nga organet e rendit dhe prokuroria por opinioni ende nuk ka marrë asnjë sqarim zyrtarë. Dilemat dhe dyshimet tona janë të bazuara në faktin se mungesa e transparencës për rastin në fjalë kanë të bëjnë me presionin politik nga ana e BDI-së gjithnjë duke u bazuar në informacione jo-zyrtare të plasuara me media se vetura me të cilën është transportuar dhe shitur lëndë narkotike është pronë e një funksionari partiak të BDI-së nga Gostivari”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

Në fund, partia opozitare shqiptare kërkon nga ministri Spasovski dhe zëvendësministri Nuhiu përgjigje se cilat masa janë ndërmarrë nga ana e MPB-së ndaj pjesëtarit të tyre dhe në cilën fazë të procedimi gjendet lënda përkatëse./Telegrafi/

Lexo po ashtu BDI shprehet e shqetësuar nga lidhjet e bandave të drogës me partitë