Telegrafi

Aleanca për Shqiptarët: Përse shpejtoi Qeveria me bankënotat e reja pa Gjuhën shqipe, pa u kthyer vlerësimi nga Komisioni i Venedikut?

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një njoftimi thotë se “Qeveria LSDM-BDI së bashku me Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut, dje na informuan se në bankënotat e reja nuk do të figurojë Gjuha shqipe”.

“Vlerësojmë se ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, respektivisht të Gjuhës shqipe i cili parashihte që bankënotat dhe uniformat e policisë të jenë edhe në Gjuhën shqipe apo siç e parasheh Ligji për Gjuhën që e flasin më së paku 20% e popullatës në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas ASh-së, ku moment i ri tregoi se Qeveria LSDM-BDI që vazhdimisht thirret në dygjuhësi dhe mundohet të paraqes vlera të barabarta të barazisë gjuhësore, nuk ka gatishmëri të plotë të zbatojë në tërësi Ligjin e për përdorimin e gjuhëve.

Lexo po ashtu Bankënotat e para me emrin e ri Maqedonia e Veriut nuk do të jenë dygjuhësore

“Paralajmërimi i Guvernatores së Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, se bankënotat e reja me emrin e ri të Maqedonisë, do të jenë pa gjuhën shqipe dhe vetëm në gjuhën maqedonase e nxjerr në pah edhe demagogjinë dhe krekosjen e BDI-së e cila vazhdimisht ka trumbetuar në fushatat parazgjedhore dhe nëpër debate televizive se bankënotat e reja dhe uniformat e policisë do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata pyesin BDI-në se pse ka ka lejuar që Banka Popullore e Maqedonisë te sjell vendim për bankënotat e reja pa gjuhën shqipe, përderisa ende nuk ka vlerësim nga Komisioni i Venedikut për dy nenet kontestuese për përdorimin e gjuhës shqipe në bankënota dhe në uniformat e policisë.

“Përse BDI lejon që të mungojë shqipja na bankënota përderisa nuk kemi vendim as të Gjykatës Kushtetuese i cili është organi më i thirrur dhe më kompetent për të kontestuar ose jo, dy nenet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ky moment në fakt na tregon se BDI nuk ka kapacitet as dijeni që t’ju dal zot kërkesave të votuesve shqiptar e as gjuhës shqipe ashtu siç e parasheh ligji”, thonë nga ASh duke rikujtuar kryeministrin Zaev se do të ketë zgjedhje sërish dhe nuk do të mund t’i manipuloni shqiptarët me barazinë gjuhësore./Telegrafi/