Opozita shqiptare pret mbështetjen e BDI-së për ndryshimet kushtetuese, siç janë kujdesi i mërgatës shqiptare dhe trashëgimia kulturore dhe historike e shqiptarëve. Lëvizja Besa ju bëri thirrje të gjithë partive politike kuvendare shqiptare të bashkohen rreth kësaj çështje me qëllim të plotësohet kërkesat historike.
“Ndihma e partive politike shqiptare në qeverisje do të jetë e mirëseardhur, të gjithë bashkërisht të hapin këtë çështje që e propozoi opozita shqiptare për t’u gjetur zgjidhje. Ju ishit dëshmitarë se edhe kryeministri tha se mund të bisedohet dhe të konsultohet me ekspertët e tij që të gjendet zgjidhje në këtë drejtim dhe shpresoj se nëse të gjithë bashkërisht angazhoheni, faktori politk shqiptar, duke përfshirë edhe partitë nga shumica kuvendare, por edhe kryeministri, mund të gjendet formë kushtetuese-juridike që do t’i kënaq aspiratat dhe interesat e të gjithëve në këtë proces”, tha deputeti i Besës, Fadil Zendeli, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që neni 49 i Kushtetutës në mënyrë të qartë të definojë se kush kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarëve dhe të mos lejohet mundësi për interpretim të ndryshëm.
“Në kërkojmë mbështetjen e të gjithë faktorëve politik shqiptar, që në këto momente të rëndësishme të insistojmë edhe vërejtjet tona të dhëna në komision t’i marr parasysh Qeveria. Kur themi Qeveria, nuk do të thotë vetëm kryeministri Zaev, por edhe përfaqësuesit shqiptar që janë atje, për të mos pasur nevojë për ndryshime shtesë për këtë çështje”, tha deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
Sipas BDI-së, kërkesat e opozitës janë të mirëseardhura nëse nuk kanë qëllime të tjera të fshehura.
“Të jem i sinqertë, kërkesat e opozitës nuk është për t’u përkujdesur vetëm mërgata shqiptare, por edhe mërgata serbe, rome, vllahe, turke. Në fakt, ne jemi të hapur pë bisedime dhe të bisedojmë për secilën kërkesë të tyre, nëse nuk ka demagogji në këtë çështje”, tha Artan Grubi./Telegrafi/