Telegrafi

Aleanca për Shqiptarë reagon ndaj keqpërdorimit të deklarimit të përkatësisë etnike për punësim

Nëpërmjet një njoftimi të partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, thuhet se “manipulimet që bëhen gjatë punësimeve, nëpërmjet keqshfrytëzimit të përkatësisë etnike janë problem serioz për të cilin qeveria, e sidomos partia shqiptare qeverisëse duhet urgjentisht të merr masa për ndalimin e këtij fenomeni”.

“Në shumë institucione shtetërore siç janë, spitalet, agjencitë, brigadat e zjarrfikësve, policëve, e në përgjithësi administrata shtetërore figurojnë të punësuar shqiptar, që në realitet janë maqedonas. Kjo lehtë mund të dallohet nga konkurset e ndryshme në bazë të emrit të të punësuarve”, thonë nga ASH të cilët shtojnë se me këto manipulime dëmtohet fuqia punëtore shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga ky fakt, thonë nga ASH, kontestojmë çdo shifër që tregon numrin total të të punësuarve në vend sepse ai numër nuk do të ishte real por vetëm manipulim i radhës.

“Gjithashtu kundërshtojmë deklaratat e ministrit Sadulla Duraku, dhe Damian Mançevskit se nuk ekziston mënyrë për të ndaluar dikë të shpallet shqiptar, apo çfarë do qoftë nacionaliteti tjetër. Është e vërtetë se nuk mund t’ia ndalosh dikujt se si të ndjehet. Por ekzistojnë shumë mënyra për të arritur përfaqësim adekuat, mjafton të kemi vullnet për të ndryshuar këtë realitet të dëmshëm. Si një ndër to mund të cekim mjetet e identifikimit, apo ndonjë mjet tjetër me të cilin do të vërtetohej përkatësia etnike gjatë punësimeve me qëllim që të arrijmë në përfaqësim adekuat, pa favorizuar palën maqedonase”, thuhet në njoftimin e Aleancës për Shqiptarët.

Në fund ata thonë se problem e trajton edhe programi i tyre zgjedhor dhe me përbërjen e ardhshme kuvendare do të niset ndryshime në Ligjin për nëpunës shtetëror./Telegrafi/