Site icon Telegrafi

Aleanca e Biznesit: Rreth 17 mijë të rinj në Kosovë presin nga 5 vite për t’u punësuar

Mesatarisht rreth 17 mijë të rinj në Kosovë presin nga 5 vite për t’u punësuar.

Kështu thotë Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), duke theksuar se brenda vitit tregut i shtohen rreth 25 mijë persona të aftë për punë.

“Mesatarisht rreth 17 mijë të rinj presin për punë rreth 5 vjet. AKB ka bërë një studim hulumtues për 10 vitet e kaluara rreth tregut të punës në Kosovë, ku mesatarisht punësohen rreth 8 mijë të pa punë kurse në tregun e punës shtohen rreth 25 mijë persona të aftë për punë”, njofton AKB-ja në Facebook, përcjell Telegrafi.

Sipas tyre, Kosova vazhdon të jetë vendi me pagën me të ulët në Ballkan.

“Nga studimi del se një i ri duhet te pret rreth 5 vite për t’u punësuar në Kosovë për një pagë mesatare rreth 300 euro në muaj si fillestar e pas një deri në dy vite deri 400 euro. Kosova vazhdon të jetë vendi me pagën me të ulët në Ballkan dhe me natalitetin më të lartë në BE, me këtë trend aktual Kosova rrezikon të mbetet pa të rinjtë dhe pa fuqi punëtore”, përfundon njoftimi.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind dhe se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune.

Lexo po ashtu ASK: Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind, dy të tretat e popullsisë ishte në moshë pune

Agjencia thotë se shkalla e punësimit ishte 2.3 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Raporti i ASK-së tregon se femrat kryesisht ishin të punësuara në sektorët e arsimit, derisa meshkujt në atë të tregtisë dhe ndërtimtarisë.

“Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 55.2 për qind të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, prodhimit, si dhe në sektorët e aktivitetit për akomodim dhe shërbim me ushqim me 62.6 për qind”, përfundon ASK-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version