Telegrafi

Albion Rrahmani: E kam ëndërruar ta mbajë barrën e ekipit të Kosovës, besoj se do të shënoj

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani është shprehur optimist për ndeshjen ndaj Andorrës, ku pret paraqitje pozitive dhe pse jo të tentoj të shënoj gol.

Kosova ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës, e cila zhvillohet të enjten, në orën 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Njëherësh kjo ishte stërvitja e fundit në Kosovë, pasi nesër në mëngjes Dardanët udhëtojnë drejt Andorrës.

Për dallim nga stërvitja e djeshme, e cila më shumë shërbeu si rigjenerim për lojtarët, këtë herë u punua me intensitet të plotë, teksa përzgjedhësi Primoz Gliha punoi edhe në aspekte teknike-taktike.

Lexo po ashtu Kosova kryen stërvitjen e radhës, mungojnë dy futbollistë të rëndësishëm

Në këtë ndeshje, për shkak të mungesës së Vedat Muriqit, pritet të ketë hapësirë edhe Rrahmani, i cili duhet t’i tregojë vlerat e tij dhe është shprehur optimistë për fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese.

“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 për qind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë”, ka thënë fillimisht Rrahmani.

“Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndërruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren”.

“Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, përfundoi sulmuesi llapjan.

Ndryshe, Rrahmani po kalon formë të shkëlqyeshme me ekipin e Rapid Bukureshti, ku ka shënuar gjashtë gola dhe dy asistime në gjashtë ndeshje. /Telegrafi/