Sot, këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu festoi ditëlindjen e tij të 77-të, një moment i veçantë për të dhe gjithë adhuruesit e tij. Me këtë rast të rëndësishëm, ai priti një mysafir të veçantë – kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një vizitë simbolike, kryeministri e nderoi Sabri Fejzullahun duke e surprizuar me një tortë dhe një dhuratë të veçantë: një çifteli shqiptare e gravuar në filigram. Përkundër kësaj, Sabriu ia dhuroi Kurtit një prej albumeve të tij më të fundit me autograf, duke e shënuar momentin si një shkëmbim të ndërsjellë respekti dhe dashurie për artin dhe kulturën.
Përshtypjet nga kjo vizitë dhe fotografitë e bukura, Kurti i ndau me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook. Ai shprehu vlerësimin dhe admirimin për figurën e Sabri Fejzullahut, duke e përshkruar atë si një thesar të gjallë të kulturës dhe muzikës popullore të Kosovës.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
“59 vjet të furishme sepse të pandalshme e me deri 80 pjesëmarrje në koncerte për vetëm dy muaj periudhë kohore. Lum i gëzuar kënge që rrjedh përherë aty.
Sot pata kënaqësinë të vizitoj Sabri Fejzullahun për ditëlindjen e tij të 77-të, një figurë sa aktive e pasionante aq edhe e talentuar e punëtore e kulturës popullore dhe muzikës argëtuese të Kosovës.
Pak njerëz si Sabri Fejzullahu mund të përbashkojnë shpirtin energjik dhe krijimtarinë produktive të kombit tonë.
Ai me bashkëshorten Nera dhe djalin Ermalin, me vëllezër e mbesa, na pritën me ngrohtësi, dhe gjatë kësaj vizite, Sabriu ndau me ne një udhëtim magjepsës përmes gjashtë dekadave të karrierës së tij. Ai e nisi rrugëtimin e tij muzikor më 5 shtator 1965, dhe prej asaj dite ka qenë një forcë e vrullshme që ka formësuar muzikën pop në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë bisedës, ai rrëfeu përjetimet e tij mbresëlënëse, duke përmendur bashkëpunimet me figura të shquara dhe momentet kyçe që shënuan karrierën e tij të pasur, si dhe përvojat e tij me njerëz të papërsëritshëm si Jusuf Gërvalla.
Çdo histori ishte një pasqyrim i jetës së ndryshimeve të mëdha politike nëpër të cilat kaloi Kosova, e ku mëson diçka më shumë edhe për atë që e ke ditur, gjithnjë të mbështjella me dashurinë e tij të pamasë për artin dhe publikun, e cila ndjehet në çdo performancë të tij.
Sabri Fejzullahu, me 1098 këngë të shprehjeve të ndryshme muzikore dhe një trashëgimi artistike të pashoqe, është një thesar i gjallë i kulturës sonë. E falënderoj për këto rrëfime të paharrueshme nga kujtesa e tij e mrekullueshme dhe për gjithë ato vite të bukura përkushtimi të pakursyer që na ka dhuruar. Gëzuar ditëlindjen dhe shumë suksese të tjera përpara, Sabri!”.
Ky takim ishte një përkujtim i fuqishëm për kontributin e jashtëzakonshëm të Sabri Fejzullahut në muzikën dhe kulturën shqiptare, duke u shfaqur si një figurë që ende frymëzon dhe argëton brezat me punën dhe përkushtimin e tij të pandalshëm. /Telegrafi/