Site icon Telegrafi

Albin Kurti shtrohet në klinikën infektive në QKUK, shkaku i gripit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shtrirë në QKUK përkatësisht në klinikën infektive për shkak të një infeksioni gripal, ka njoftuar ish -drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Arben Vitia.

Vitia thotë se gjendja e Kurtit tashmë është stabile.

“Të dashur miq, meqenëse shumë prej jush po thërrisni në telefon për të pyetur, po ju njoftoj këtu, Albini sot në mëngjes herët ka patur një shqetësim shëndetësor, për shkak të një infeksioni gripal. Falë përkujdesjes së mjekëve në emergjencë dhe klinikës infektive në QKUK, gjendja e tij tash është më stabile. Pranë tij është kujdesi i mjekëve, familjarëve e aktivistëve. Meqenëse shenjat janë të gjitha të mira, shpresojmë që do të dalë sa më shpejt”, shkruan Vitija

Ndryshe, një ditë më parë anëtarët e Komitetit për Gripin Sezonal kanë thënë se në Kosovë nuk ka nevojë për panik dhe se çdo vit kalendarik ka grip, por jo pandemi sikurse në vitin 2009.

Në një konferencë për media, ata kanë kërkuar që të mos përdoret termi ‘grip i derrave’ për arsye të konfuzionit dhe panikut në publik.

Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, kishte thënë se gripi në territorin e Kosovës është në nivel mesatar.

“Ne kemi raportuar mbi 29 mijë raste të dyshimta, pasi nuk dihet sa janë me grip. Mbi 4.000 janë infektive, 43 raste janë raportuar si gjendje më e rëndë e gripit sezonal, ndërsa dhjetë me vdekje. E kemi shpall si gjendje epidemike për shkak të rasteve të vdekjeve. Këto raste janë mbi 65-vjeç. Katër raste janë A1H1 dhe gjashtë raste të grupit A”, ka thënë ai.

Ndryshe, simptomat e para të gripit sezonal janë temperatura, rrjedhjet nga hunda dhe më të atakuarit janë të sëmurët kronikë, ndërkohë që rekomandohet që të shmangen sa më shumë vendet e mbyllura. /Telegrafi/

Exit mobile version