Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas medaljes së artë të fituar nga boksierja Donjeta Sadiku në turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2025”.
Sadiku ishte njëra ndër garueset e shumta që mori pjesë në këtë turne që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë, duke ia dalë me sukses që ta fitojë medaljen e artë.
Për ta arritur këtë qëllim, ajo e mposhti kundërshtaren e saj nga Kazakistani me rezultat të thellë 5:0.
Kjo arritje e Sadikut ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ku mes tjerash suksesit të saj i është gëzuar edhe Kurti që tha se Sadiku ka dëshmuar nivel të lartë boksi.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurtit:
“Donjeta Sadiku ka shkëlqyer në turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2025” në Sofje, duke fituar medaljen e artë kundër boksieres nga Kazakistani me rezultat bindës 5:0”.
“Gjatë rrugës drejt medaljes, Donjeta realizoi tri fitore, duke dëshmuar formën e saj të shkëlqyer dhe nivel të lartë të boksit. Njëherësh ajo mori titullin e një ndër boksieret më të mira të garës”.
“Turniri “Strandja” është një nga turniret më të vjetra të boksit amator dhe këtë vit shënon edicionin e 76-të. Kjo medalje ka rëndësi të veçantë, ku pas 48 vitesh, Donjeta bëhet boksierja e parë nga Kosova që e fiton të artën në këtë turne, duke ndjekur gjurmët e legjendës Mehmet Bogujevci, i cili e fitoi të artën në vitin 1977”.
“Në këtë garë, medalje të bronzta fituan Loris Idrizi dhe Bashkim Bajoku, ndërsa referi ynë ndërkombëtar Latif Demolli po ndan drejtësinë në turne”, thuhej në njoftimin e Kurtit./Telegrafi/