Telegrafi

Albin Kurti përzgjedh edhe video-mesazhin e Adriana Matoshit për të transmetuar këshilla te ndjekësit

Aktorja e mirënjohur shqiptare, Adriana Matoshi, ka shpërndarë në rrjetin social, Instagram një video, përmes së cilës përçon një mesazh për të gjithë ndjekësit që në këtë kohë pandemie të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi.

Në video, ajo po ashtu thotë se këtë sfidë mund të tejkalojmë duke u kujdesur për njëri-tjetrin dhe mënyra më e mirë është të qëndrojmë larg turmave.

“Përshëndetje të gjithëve, shpresoj që jeni mirë dhe jeni duke kaluar mirë me familjet e juaja. Uroj dhe besoj që këtë sfidë si shumë sfida tjera kemi me tejkalu së bashku. Por, si do e kalojmë këtë sfidë?Mendoj që është më së mirë të rrimë brenda në shtëpi të kujdesemi për veten,kur kujdesemi për veten kujdesemi edhe për të tjerët. Kështu që lutje ime për juve është, rrini në shtëpi”, ka thënë mes të tjerash ajo.

E njëjta video është rishpërndarë në llogarinë zyrtare të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili siç duket e ka pëlqyer mesazhin e aktores.

“Edhe këtë sfidë do e tejkalojmë. Rri n’shtëpi dhe kujdesu për veten”, ka shkruar Kurti pranë videos.

Lexo po ashtu Albin Kurti përzgjedh video-mesazhin e Capital T për të transmetuar te ndjekësit në Instagram, këshillat për të qëndruar të qetë

Përveç mesazhit të Adrianës, kryeministri ka zgjedhur edhe atë të reperit Capital T, reperit Ghetto Geasy e po ashtu edhe të Vasfije Krasniqi-Goodman.

Në Kosovë sapo janë konfirmuar edhe dy raste të reja të prekura me COVID-19, tashmë gjithsej 15 raste të tilla. /Telegrafi/