Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një lidhje të drejtëpërdrejtë në Euronews Albania ka folur ndër të tjera edhe për të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell .
Kurti tha se ka pasur kontakt me ambasadorin Grenell edhe pasi është rrëzuar Qeveria, dhe se sipas tij, që nga vizita e fundit e Grenell në Beograd, ai më nuk i ka kërkuar Serbisë që të ndërpresë fushatën kundër njohjes së Kosovës.
“Ambasadori Grenell në tetor dhe janar ka qenë në Kosovë. Unë e kam takuar në të dyja herët, dhe ai fillimisht në tetor pati thënë se Kosova duhet të heqë tarifën 100%, ndërkaq në anë tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, prej kur shkoi në janar në Beograd këtë pjesën e dytë e hoqi plotësisht dhe thoshte se vetëm Kosova duhet të heqë tarifën, ndërsa nuk fliste për Serbinë. Trysnia e tij fillimisht u shpreh për një lloj insistimi që kërkonte të mos diskutohej. Unë kam komunikuar me të, madje deri vonë edhe pasi jemi rrëzuar si qeveri”, tha Kurti.
Kurti tha po ashtu se Grenell ka bërë presion ndaj LDK-së, derisa ata u dorëzuan në lidhje me tarifën.
“Në anën tjetër, ai filloi ta shtojë trysninë ndaj partnerit tim në qeverisje deri sa ata u dorëzuan dhe u nënshtruan. Pra, ai ka pasur një rol, i cili nuk ka qenë neutral, por përkundrazi ka pasur një rol aktiv. Për mua kjo nuk do të thotë asgjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një emisar të SHBA shumë i fuqishëm, me të cilën unë kam bashkëbiseduar, por nga ana tjetër nuk kam pranuar ta vendosë në pikëpyetje interesin e Kosovës. Mendoj se ai ka qenë shumë i interesuar për një marrëveshje shumë të shpejtë Kosovë-Serbi. Përqendrimi i tij ka qenë tek nënshkrimi në fund të marrëveshjes se sa tek teksti i saj, që do të kishte pasoja për kosën si shtet dhe për popullin e saj”, u shpreh Kurti.
Pavarësisht mohimit që bëri Grenell për ekzistencën e një plani për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se nuk është kështu, por theksoi se diplomatët amerikanë nuk kanë thënë fare që nuk ka plan, por se nuk e kanë parë një të tillë. /EA/