Telegrafi

Albi Mall Superliga vazhdon sot me tre duele të xhiros së 18-të

Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me tre ndeshje të tjera që janë në program në kuadër të xhiros së 18-të.

Ditën e djeshme u zhvilluan dy sfida, ku Ferizaj dhe Dukagjini luajtën baras 0-0, derisa Drita mori tre pikë të mëdha në udhëtim te Drenica pas fitores 1-3.

Padyshim që vëmendja më e madhe e adhuruesve të futbollit kosovar sot është në Gjilan, ku Gjilani pret kampionin në fuqi Ballkanin.

Dy skuadrat në këtë sfidë vijnë pas fitoreve në xhirot e fundit dhe synojnë të vazhdojnë njësoj.

Duel shumë interesant dhe i zjarrtë pritet të luhet edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë.

Trepça ’89 do të jetë nikoqir i Prishtinës në derbin e vjetër të futbollit kosovar.

Minatorët nuk dëshirojnë të dimërojë në zonën e rënies dhe kërkojnë fitoren, derisa Prishtina synon këndelljen pas katër ndeshjeve pa fitore.

Ndeshja e fundit, por jo nga rëndësia e ditës së sotme zhvillohet ajo mes Malishevës dhe Llapit.

Vetëm një pikë dhe një pozitë është dallimi në tabelë mes dy skuadrave dhe kjo e bën atë një ndeshje shumë interesante.

Të gjitha sfidat e ditë së sotme zhvillohen me fillim nga ora 13:00. /Telegrafi/