Site icon Telegrafi

Albi Mall Superliga vazhdon me ndeshjet e xhiros së shtatë, vëmendja tek derbi lokal mes Dritës dhe Gjilanit

Xhiro e shtatë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të zhvillohet në mesjavë, ku në program janë dy ndeshje të zhvillohen sot dhe dy të tjera nesër.

Vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar është në Gjilan, ku luhet derbi më i madh lokal mes Dritës dhe Gjilanit.

Dy skuadrat nga rajoni i Anamoravës e kanë nisur për mrekulli këtë sezon, pasi aktualisht ndodhen në krye të tabelës me Gjilanin si i pari me 14 pikë dhe Dritën si e dyta me 11 pikë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sa herë janë përballur dy skuadrat e qytetit rivaliteti dhe spektakli nuk ka munguar, por për dallim prej herëve tjera derbi i ditës së sotme do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.

Drita në këtë takim vije pas fitores 0-2 në udhëtim te Ballkani, derisa Gjilani pas barazimit në shtëpi ndaj Prishtinës.

Dueli mes Dritës dhe Gjilanit do të gjykohet nga gjyqtari gjilanas Mervan Bejtullahu me ndihmësit Fatlum Jashari dhe Hekuran Osmani.

Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet mes Prishtinës dhe Malishevës në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, pasi kryeqytetasit e kanë të suspenduar fushën e tyre.

Dy skuadrat në këtë ndeshje vijnë pas barazimeve, ku Prishtina luajti 1-1 me Gjilanin në udhëtim, derisa Malisheva u ndal nga Dukagjini me të njëjtin rezultat.

Të dyja sfidat e ditës së sotme startojnë me fillim nga ora 15:00. /Telegrafi/

Exit mobile version