Drejtori i programeve në organizatën jo qeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi ka kritikuar shumicën parlamentare për themelimin e një komisioni hetimor për keqpërdorimet në energjinë elektrike që nga viti 2006.
“Komisioni paralel hetimor për energji i mazhorancës, më shumë ka për qëllim të rivalizojë dhe shpërqendrojë vëmendjen nga hetimi i komisionit të opozitës, sesa të hetojë në vetëvete”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai thotë se për periudhën e paraparë, komisione e ka të pamundur të hetojë çështjet e ndryshme që kanë ndodhur brenda 16 vitesh.
“Për gjashtë muaj – aq sa mund të zgjasë mandati i një komisioni hetimor – është e pamundur të kryhen hetime për 15 çështje të ndryshme që kanë ndodhur brenda 16 vitesh. Një hetim kaq kompleks nuk mund ta bëjnë as prokurorët më të shkathët, lëre më deputetët që dy muaj u duhen vetëm për të themeluar komisionin”, ka deklaruar tutje Krasniqi.
Për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë, i cili synon t’i hetojë keqpërdorimet në energjinë elektrike që nga viti 2006, kanë votuar 95 deputetë të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në seancën e sotme është votuar edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë i propozuar nga opozita.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa nënkryetar Ferat Shala nga PDK-ja./Telegrafi/