Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2022 ka konfiskuar 1,473 armë, kurse në gjashtëmujorin e parë të këij viti ka konfiskuar 636 sosh. Ndërsa, të martën më (08.08) gjatë realizimit të operacionit “Goditja” janë kontrolluar 2049 vetura, ku janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).
Policia gjithashtu ka njoftuar se në kuadër të urdhrit operativ “Sezoni veror 2022” ka kontrolluar 329 mijë vetura, kurse në “Sezonin dimëror 2022-23” ka kontrolluar 160 mijë vetura.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike në vazhdimësi ka ndërmarrë aktivitet, ka hartuar e zbatuar plane operative, ka ndërmarrë fushata me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti.
“Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Polisa të sigurimit) mbi 204 mijë vetura”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se “Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1,473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”.
“Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës). Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”, njofton Policia.
Sipas Policisë, me të dhënat e ofruara, nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje, nuk pretendohet të minimizohet kjo dukuri e të relativizohet, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje.
“Rreth luftimit të kësaj dukurie duhet aktivitet i përbashkët i institucioneve relevante në vend. Policia do të vazhdojë aktivitetet duke hartuar e zbatuar plane operative, duke ndërmarrë fushata vetëdijësuese dhe për të pasur suksese më të mëdha fton të gjithë qytetarët për bashkëpunim në këtë drejtim”, thotë Policia.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës. Përparim Rama deklaroi sot se pasmesnatës çdo e dyta ose e treta veturë që lëviz në Prishtinë, posedon ndonjë lloj të armëve.
Këto informata ai thotë se i ka marrë nga drejtori i Policisë, më të cilin kërkuar koordinim.
“Kam informata, të cilat i mora prej drejtorit të Policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka donë me bo ata, me çka po merren”, u shpreh i pari i Prishtinës. /Telegrafi/