Site icon Telegrafi

Alarmante, të rinjtë në Maqedoni po e braktisin vendin (Video)

Shumë të rinj e kanë braktisur Maqedoninë në vitet e fundit, edhe pse nuk ka pasur një statistikë të saktë për këtë dukuri. Shpeshherë arsyeja e largimit ka qenë mungesa e një vendi pune ose kushtet e këqija për jetë. Edhe një pjesë e atyre që kanë mbetur thonë se po t’u jepej mundësia do të ishin shpërngulur në vendet e perëndimit, raporton Alsat M.

Do të isha shpërngulur prej këtu. Këtu aspak nuk është situatë e mirë momentalisht, katastrofë – thotë një i ri me profesion berber.

Po të kem mundësi, do të shkoj, do të iki. Është krizë, krizë ekonomike, s’ka punë – thotë një kryefamiljar.

Nëse do të kisha mundësi, po, por tani për tani jo. Si një nga arsyet kryesore do ta përmendja papunësinë, mënyrën e të jetuarit – shprehet një i ri magjistër i Shkencave Juridike.

Megjithatë ka edhe të rinjtë të cilët shpresojnë në ditë më të mira dhe të ardhmen e tyre e shohin në Maqedoni.

Mendoj se është mirë këtu. Gjithsesi jam student dhe mirë jam për momentin. Duhet të mundohemi dhe ta shohim të ardhmen këtu – shprehet një student në fakultetin e historisë.

Ekspertët besojnë se numri i të shpërngulurve në kërkim të mirëqenies në vendet më të zhvilluara është shumë i madh.

Ekziston konsensus se momentalisht migrimi do të kishte efekte negative, për shkak se kuadro të rinjve të edukuar po shpërngulen. Hulumtimet tona tregojnë se rreth 80% e të shpërngulurve janë shpërngulur për motive ekonomike. Shumë më i vogël është numri i atyre që shpërngulen për shkak të martesës ose studimit, kurse ato që largohen për qëllime politike ose arsye të tjera sporadike – deklaroi Blagica Petreska, drejtoreshë ekzekutive e Finance Think.

Sipas hulumtimit të bërë në vitin 2015 nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit jashtë Maqedonisë jetojnë rreth 20 për qind e popullsisë së përgjithshme, apo 516 mijë qytetarë të Maqedonisë. /Telegrafi/

Exit mobile version