Site icon Telegrafi

Alarmi për bombë në Aeroportin “Adem Jashari” ka rezultuar të jetë i rremë

Foto: Ilustrim

E plotësuar: Kërcënim për bombë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka rezultuar të jetë i rremë.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, ka thënë ajo.

Ahmeti theksoi se njësitet policore janë tërhequr nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht.

***

Dyshohet për shpërthim të mundshëm në Aeroportin “Adem Jashari”

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është raportuar se ka dyshime për mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 21:00 ka pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroport.

Zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, ka thënë se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

Po ashtu, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.

“Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Airoportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ka pasur kërcënime për bombë në këtë aeroport.

Një alarm për bombë, pati ndodhur edhe në qershor të vitit 2022, por që ndërkohë që kishte rezultuar alarm i rremë.

Ndërkaq, Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim. /Telegrafi.

Exit mobile version