Telegrafi

Alarm për bombë, evakuohen dy trena në Barcelonë – alarm edhe në Madrid

Policia evakuoi dy trena në stacionin kryesor të Barcelonës të mërkurën në mëngjes dhe shpërndarësin kryesor hekurudhor të Madridit, pasi një pajisje e mundshme shpërthyese u gjet në një valixhe në stacionin e Barcelonës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, forcat policore rajonale, Mossos d’Esquadra, thanë se një njësi e anti-eksplozivëve u dërgua në linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë në stacionin qendror Sants në Barcelonë në orën 8, pas një thirrjeje nga punëtorët hekurudhorë.

“Oficerët e sigurisë [hekurudhore] kanë parë një objekt me formën e një pajisjeje të mundshme shpërthyese në skanerët e tyre”, tha Mossos në një cicërimë në twitter. “Kontrollet po vazhdojnë”.

Operatori hekurudhor Adif më vonë tha se stacioni Atocha i Madridit ishte gjithashtu duke u evakuar me urdhër të agjencive të sigurimit shtetëror, por policia tha se ky ishte një alarm i rremë.

“Zyrtarët tanë kanë kryer kontrollet e duhura në stacionin Atocha të Madridit dhe kanë gjetur se është një alarm i rremë”, tha Policia Kombëtare e Spanjës në një cicërimë. “Operacioni policor ka mbaruar dhe gjithçka është kthyer në normalitet”.

Rreth orës 9.20, kompania hekurudhore kombëtare e Spanjës, Renfe, tha se një shërbim i pjesshëm me shpejtësi të lartë ishte rivendosur në stacionin e Barcelonës.

Mossos gjithashtu shkroi në twitter: “Shërbimet po fillojnë të restaurohen në stacionin Sants pasi njësitë e ndryshme të specializuara kryen kontrollet e duhura.”

Ndërkohë një gazetar i Associated Press në vendngjarje thuhet të ketë parë radhët e gjata të udhëtarëve duke pritur që trafiku hekurudhor të rifillojë. /Telegrafi/