Site icon Telegrafi

Akuzohet se prodhonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet në Tiranë i moshuari amerikan

Policia e Shtetit ka arrestuar një 71-vjeçar amerikan, i cili akuzohet se prodhonte në vendin tonë materiale pornografike me të mitur.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës.

Sipas policisë, amerikani i identifikuar si David Ira Lang, ishte me precedent penal jashtë Shqipërisë.

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan, 71 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version