Telegrafi

Akuzohet për vrasje në 2020 në Shkodër, shpallet në kërkim Ervis Martinaj

Foto: Ilustrim

Detaje të reja janë zbardhur nga megaoperacioni i sotëm i zhvilluar në disa qytete, ku në pranga të prokurorisë ranë policë, biznesmenë e prokuror.

Burimet e Anila Hoxhës thonë se Ervis Martinaj, është i dyshuar për vrasje në qytetin e Shkodrës të ndodhur në vitin 2020.

Përveç arrestimeve të raportuara më herët, biznesmeni Pëllumb Gjoka është arrestuar për vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar, në një ngjarje që ndodhi në qytetin e Shkodrës si dhe sigurim të automjeteve për të vrarë dy shtetas të tjerë, një ndër ta Ibrahim Liçi.

Masa e sigurisë për Ervis Martinajn dhe 14 të tjerë, mes tyre dhe ish-prokurori Lita, e implikon ish-mbretin e lojërave të fatit, për të cilin nuk dihet ende asgjë, në vrasjen e Gjin Ndoj (Boriçi).

Gjithashtu edhe Ervis Martinajt i rëndon akuza për sigurim të kushteve për të kryer vrasje në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, tha për Top Channel Anila Hoxha.

Për Asmer Bilalin burimet i konfirmuan Anila Hoxhës, se akuzohet për sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje të ngelur në tentativë në dëm të shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genci Tafili, në bashkëpunim të veçantë me grupin e strukturuar kriminal.

Genc Tafili është i dënuar për vrasjen e bujshme të drejtorit të policisë Shkodër, Arben Zylyftari në vitin 2000.

Një emër tjetër për të cilin është vendosur masë siguria nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar në dosjen ku ka zyrtarë e prokurorë është edhe Erlion Hato, që dyshohet për vrasje në paramendim të mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Taulant Pepa. Ai gjithashtu dyshohet se ka korruptuar prokurorin.

Oficeri i policisë Ardit Hasanbega që ka qenë me detyrë në Shkodër dyshohet se ka ndihmuar grupin e drejtuar për të kryer vrasjen ngelur në tentativë të Dulit dhe Liçit.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të kërkuar të drejtësisë, i akuzuar për disa vrasje dhe ngjarje kriminale në vend. Ai rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar, kur familjarët bënë denoncimin në polici. /Tch/Telegrafi/