Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 31 janar të këtij viti ka pranuar kallëzim penal nga policia, që lidhet me aksidentin e ndodhur dy muaj më parë i cili la të vdekur profesorin Ferhat Bejtullahu.
Këtë deklarim prokuroria e ka bërë të enjten në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, pasi është pyetur në lidhje me deklaratat e vajzës së të ndjerit, Sihana Bejtullahu, e cila ka akuzuar institucionet për manipulim me prova. Në një intervistë për Telegrafin të enjten, ajo ka thënë se është e zhgënjyer me institucionet të cilat siç ka thënë, e kanë trajtuar padinjitetshëm rastin.
E në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës thuhet se nga dita kritike kur ka ndodhur rasti, kanë qenë në pritje të kallëzimit penal nga policia, derisa më 31 janar 2024, e ka pranuar të njëjtin dhe i është ndarë prokurorit përkatës, i cili është duke e trajtuar këtë çështje penale.
Nga ky institucion po ashtu kanë ripërsëritur një deklaratë të datës 14 dhjetor të vitit të kaluar lidhur me rastin, ku arsyetohet vendimi për moscaktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që e ka shkaktuar aksidentin.
”Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit me kujdes ka vlerësuar rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe pasi ka analizuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ka vlerësuar se në rastin konkret nuk plotësohen këto kushte”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“Përgjegjësia penale e të dyshuarit do të vërtetohet saktësisht gjatë hetimit, pasi duke pasur parasysh vendin ku ka ndodhur rasti, vepra e rrezikimit të trafikut publik kryhet nga pakujdesia dhe në kryerjen e tyre mund të kontribuojnë të gjithë pjesëmarrësit në trafik, andaj edhe në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit ka siguruar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, është intervistuar i dyshuari në stacionin policor dhe është hapur rast në drejtim të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ (me fatalitet)”.
Profesori Ferhat Bejtullahu u aksidentua mbrëmjen e 2 dhjetorit, teksa po bënte si zakonisht rrugën nga vendi i punës së tij, kolegji UBT, për në banesën e tij.
Aksidenti ndodhi në rrugën “Bill Klinton”, afër vendit të tij të punës, ku një shofer i papërgjegjshëm e shtypi me veturë. Bejtullahu, një profesor i respektuar në lëmin e tij, vdiq pak orë më vonë nga plagët e marra. /Telegrafi/