Telegrafi

Akuzat për evazion, nis gjyqi ndaj Messit

Në Barcelonë nisi gjyqi ndaj sulmuesit të Barcelonës, Lionel Messi, dhe babait të tij Jorge, të akuzuar për një evazion fiskal prej 4.1 milionë euro. Si futbollisti ashtu dhe babai i tij nuk ishin në këtë seancë të parë.

Sipas ligjit në Spanjë, personat të akuzuar për vepra për të cilat parashikohen dënime më 2 vjet burg ose më pak, nuk janë të detyruar të paraqiten në sallën e gjyqit.

Gjithsesi, një prej avokatëve mbrojtës të familjes Messi, Havier Sanchez Vera, i dorëzoi gjykatësit të kësaj çështjeje raportin mjekësor për dëmtimin e futbollistit për të justifikuar mungesën e tij.

Zyra e Avokatisë së Shtetit kërkon një dënim me 22 muaj burg për Messin dhe babain e tij Jorge, ndërsa Prokuroria kërkon arkivimin e kësaj çështje për futbollistin dhe vetëm dënimin e babait të Messit me 18 muaj burg.

Sipas avokatit Basigulpo, është e pamundur që Messi të dënohet me burg, pasi dënimi për këtë vepër penale është më pak se 2 vjet burg dhe se futbollisti nuk ka precedentë penalë.

Në të njëjtën kohë ai konfirmoi se Messi do të shfaqet në sallën e gjyqit ditën e enjte. Në këtë moment ai ndodhet në Argjentinë ku po kryen fazën e riaftësimit nga dëmtimi në shpinë, megjithatë shumë shpejt ai pritet të mbërrijë në Barcelonë.