Site icon Telegrafi

Akuza e katërt për Gruevskin, ish-kryeministri do të gjykohet edhe në lëndën “TNT”

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, më 24 janar do të ulet në bankën e të akuzuarit. Makfaks njofton se në këtë datë do të mbahet seancë gjyqësore për lëndën “TNT”, që ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canoski.

Kjo është aktakuza e katërt me të cilën ngarkohet Nikolla Gruevski, pas atyre në lëndët “Dhuna në Qendër”, “Traektorja” dhe “Tanku”, ndërsa për lëndën “Titanik” akoma nuk është vendosur, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas sistemit AKMIS, lëndën duhet ta gjykojë Ivica Stefanovski, por për shkak të afatit për ankesa për orarin e ri të gjykatësve në Gjykatën e Lartë, priten ndryshime.

Përkrah Gruevskit në këtë lëndë akuzohen edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakieski, ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski dhe katër persona tjerë.

Në këtë lëndë si dëshmi në procedurat gjyqësore do të përdoren edhe materialet e përgjuara (bombat)./Telegrafi/

Exit mobile version