Vasily është një milioner rus, i cili do të portretizohet nga aktori kosovar Kushtrim Hoxha.
Me këtë rol Hoxha do të bëhet pjesë e dy episodeve të serialit të famshëm amerikan “Person of Interest”, i cili transmetohet që nga viti 2011, shkruan sot “Koha Ditore”. Në muajin nëntor do të nisin xhirimet e sezonit të pestë të këtij seriali, i cili në vitin 2012 mori çmimin “People’e Choice Award” në kategorinë e “Favorite New TV Drama”, ndërsa u nominua në “MPSE Golden Reel Award”, “NAACP”, dhe “Primetime Emmy Award”.
“Person of Interest” është dramë televizive amerikane e zhanrit fantashkencë realizuar nga Jonathan Nolan, premiera e së cilës u dha në shtator të vitit 2011 në CBS. Aktori Jim Caviezel si John Reese është në rolin kryesor. Caviezel njihet më së shumti për portretizimin e Jezu Krishtit në filmin “The Passion of the Christ” (2004) me skenar dhe regji të Mel Gibsonit. Në “Person of Interest” John Reese është agjent i CIA-s për të cilin mendohet se është i vdekur.
Miliarderi i quajtur Harold Finch (Michael Emerson) i afrohet atij me qëllim që të kërkojë parandalimin e krimeve duke përdorur një sistem të mbikëqyrjes të quajtur “The Machine”, i cili zhvillohet me AI (Inteligjencë Artificiale). Mënyra unike e tyre për të sjellë drejtësi e tërheq vëmendjen e dy oficerëve në “NYPD”, Joss Carter (Taraji P. Henson) dhe Lionel Fusco (Kevin Chapman), të cilët Reese i shfrytëzon në të mirë të tij në kërkim të atyre që kërkon.
Në sezonin e tretë të këtij në serial vjen një tjetër AI e quajtur “Samartian” që krijohet nga “Decima Technologies”. Ndërsa në pjesën më të madhe të sezonit të katërt shohim garën në mes të dy AI-ve dhe agjentëve të tyre njerëzorë. E sezoni i pestë do të përmbajë gjithsej 13 episode dhe Nolan në një deklaratë në “San Diego Comic-Con” ka thënë se “CBS” po e shqyrton vendimin nëse ky do të jetë fundi i këtij seriali të njohur. E pikërisht në këtë pjesë do të luajë edhe Hoxha.
“Do të jem në dy episode në një rol mjaft të mirë të një milioneri rus Vasily. Këto ditë i filloj xhirimet”, ka thënë Hoxha për “Kohën Ditore” pa dashur të zbulojë më shumë.
“Person of Interest” është një seri mjaft e shikuar në ShBA me rreth 13 milionë shikues në javë. E roli i Vasilyt për Hoxhën është vetëm një prej sukseseve që ai ka arritur në skenën ndërkombëtare. Në vitin 2012 Hoxha fitoi bursë të plotë për të përfunduar studimet master në Universitetin e San-Diegos dhe në të njëjtën kohë u punësua në teatrin “The Old Glob”. Për dy vjet e gjysmë në skenën e këtij teatri u bë pjesë e gjithsej 12 shfaqjeve. Ndërsa gjatë kësaj kohe ai është bërë pjesë edhe e disa projekteve të tjera filmike. Por i është dashur të shpërngulej në New York.
“Momentalisht kam kaluar në New York, ku kam nënshkruar kontratë me ‘Wolf Talent Group’ dhe ‘Abrams Artist’, të cilat janë agjencitë që më përfaqësojnë”, ka thënë Hoxha, i cili në skenën kosovare njihet për rolet në shfaqjet “Rock’n’Roll”, “Mbreti Lir”, “Menaxheria e qelqtë” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më pas me “Patriotic Hypermarket” në “Bitef Theatre” në Beograd, “Yue Madaline Yue” me qendrën “Multimedia”, në Prishtinë etj.