“Më pëlqen puna që bëj se më jep mundësinë që të bëj shumë gjëra; t’i shkul gurmazin ndonjë rivali dhe të përdhunoj femra të bukura”.
Është kjo një deklaratë që aktori Jason Momoa, i njohur për rolin e tij në “Game of Thrones”, kishte bërë në vitin 2011, atëherë kur edhe kishin filluar xhirimet e këtij seriali.
Kjo video është përhapur me shpejtësi të madhe në internet, ndërsa është komentuar shumë së fundmi lidhur edhe me “krizën” që mbizotëron në Hollywood pas raportimeve të fundit për ngacmime seksuale.
Por, lidhur me deklaratën e tij të thënë vite më parë, 38 vjeçari ka publikuar një shkrim në rrjetet sociale, përmes së cilit ka kërkuar ndjesë:
“U zgjova me reagimet e justifikuara të shumë njerëzve në lidhje me një shaka të shëmtuar që e kam bërë vite më parë dhe për të cilën më vjen keq. Komentet e bëra nga unë ishin të pavend dhe jam shumë i zhgënjyer me veten. E di që ndjesa nuk i fshin fjalët e rënda që kam thënë. Përdhunimi dhe ngacmimi seksual mund të prekë këdo dhe e kam vuajtur vetë tek njerëz të afërm të mi. Sinqerisht komentet e mia janë të shëmtuara, të papranueshme dhe kërkoj ndjesë për fjalët e rënda që kam thënë”(sic.), shkruan aktori. /Telegrafi/