Vetëm një ditë pasi Banka Qendrore Europiane njoftoi hyrjen në fuqi të programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë, publikohet raporti i cili vlerëson aktivitetin e biznesit në Eurozonë gjatë muajit janar të këtij viti.
Kështu, indeksi PMI për muajin janar është regjistruar në 52.2 pikë. Ndërkohë pritshmëritë flisnin për një rritje më të ulët, në 51.8 pikë. Ky indeks, u shënua në 51.4 pikë muajin paraardhës. Niveli mbi 50 pikë sinjalizon zgjerim të aktivitetit të biznesit. Të dhënat më të fundit i japin në këtë mënyrë një frymëmarrje Europës, duke zbutur disi shqetësimet për shëndetin e dobët të ekonomisë së Eurozonës.
Këto janë shifrat e vetme pozitive për rajonin gjatë muajit Janar. Në fillim vit, leximi i normës së inflacionit, zbuloi një situatë deflacioniste, e cila shënon edhe të parën herë që prej muajit Dhjetor të vitit 2009. Plani i Draghit për lehtësimin sasior nga ana tjetër, pritet ti japë një shtysë edhe më të madhe aktivitetit të biznesit në Eurozonë, duke nxitur nivelin e investimeve.
Referuar shteteve të ndryshme të zonës së monedhës së përbashkët Europiane, Gjemania ka qënë ajo që ka shënuar një ngjitje përtej pritshmërive për sa i përket indeksit PMI. Shqetësimi vjen nga Franca, pasi të dhënt mbi aktivitetin e biznesit regjistrohen nën pritshëmiritë.
Në një lexim më të qartë për Francën, këto shifra tregojnë se ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë mbetet në rrezik të qëndrueshëm recesioni. Indeksi PMI në Francë është regjistruar në 49.5 pikë, nga 49.7 në muajin paraardhës. /Telegrafi/